Armando Broja është duke shijuar momenti e tij me Viteshen pasi është kthyer si lojtar protagonist edhe në futbollin “burrëror”. Pasi shënonte thuajse çdo ndeshje në me të rinjtë e Chelsea-t, kritikët e shumtë në Shqipëri shfaqnin dyshimet e tyre: “Kemi pasur shumë nga këta “talentet” te moshat, por nuk e mbajnë dot kurrë formën në provën e ekipit të parë”.
Pas 5 minutave të debutimit ndaj Evertonit me fanellën e Chelseat, mbërriti huazimi te Viteshe në “Eredivisie”. Një skuadër kjo e cila lufton mes më të mirave në Holandë, ndërsa Armando Broja ka arritur që të shënojë 9 gola dhe të dhurojë 2 asist në 13 ndeshjet e tij.
Statistikat janë mbreslënëse, ndërsa kjo rritje e performancës së Brojës vjen edhe si meritë e Viteshes. Thuajse në çdo kohë ekipi holandez ka shërbyer si “autoshkolla” e Chelsea-t për të rritur lojtarët e londinezëve. Megjithatë interesi është i përbashkët pasi edhe holandezët fitojnë pikët e kërkuara pa investuar shifra të majme. “Shpenzo pak dhe mendo shumë”, ky është mentaliteti i Viteshes.
“Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me Petr Cech(këshilltari teknik te Chelsea). Flasim shumë shpesh me të dhe kjo më dha mundësinë që të flas me Brojën. Duhet të luftoja për të bindur klubin dhe lojtari. Nuk ishte si: “Këtu është lista e lojtarëve, merr kë të duash”. Huazimet mund të japin një ngritje të cilësisë me lojtarë që nuk ke mundësinë t’i blesh”, do të shprehej drejtori i Viteshes, Johanes Spors, sa i përket afrimit të Armando Brojës. Sulmuesi shqiptar kërkon që të rikthehet sërish në Londër, por këtë herë për të veshur fanellën e ekipit të parë. A do t’ia arrijë qëllimit? Një gjë është e sigurtë, me këto shifra ka një afrim gjithmonë e më të madh me klubin që i zotëron kartonin… /Sport Ekspres/