Ditën e sotme do të luhet sfida Atalanta-Real Madrid, e vlefshme për fazën 1/16 të Uefa Champions League. Pavarësisht historisë së të dy klubeve, italianët janë favoritë për ta fituar këtë ndeshje. Kjo për faktin se në kampin madrilen mungojnë emra të rëndësishëm si Marcelo, Ramos, Hazard dhe Valverde.
Tek skuadra e Atalantës rikonfirmohet në qendër të mbrojtjes, shqiptari Berat Gjimshiti që ka treguar stabilitet në të gjithë sezonin 2020-2021.Gjimshiti dhuroi një asist në golin e katërt të shënuar nga Atalanta në ndëshjen kundër Napolit, çka tregon se 28 vjeçari është aktiv dhe në fazën sulmuese.
Qendërmbrojtësi shqiptar është rritur shumë në vitet e fundit tek skuadra e rajonit të Lombardisë. Vitin e kaluar ishte fantastik si në kampionat ashtu dhe në Champions League, ku ishte shumë pranë kualifikimit në gjysmëfinale. Këtë vit ai e ka vazhduar të njëjtën formë,madje duke u përmirësuar ndjeshëm ndeshje pas ndeshje, duke ruajtur të pa shqetësuar vendin e titullarit. Ndeshja ndaj Realit do të jetë një test për të, teksa jemi një muaj larg ndeshjeve të Kombëtares Shqiptare. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/