Kombëtarja shqiptare U-19 nis sot një grumbullim 3-ditor nën drejtimin e trajnerit të ri të ekipit kuqezi, Armando Cungu. Tekniku shkodran ka ftuar 25 lojtarë, me pjesën dërrmues që vijnë për herë të parë në këtë grup-moshë, pasi në të kaluarën janë aktivizuar me ekipet e moshave U-18 dhe U-17.
Ekipi do të grumbullohet në kompleksin “Tropikal” në Durrës, ndërsa lojtarët e ftuar janë të vitlindjeve 2002, 2003 dhe 2004. Në listë ka disa emra interesantë, që aktivizohen edhe në skuadra të huaja dhe kanë qenë vazhdimisht nën vëzhgimin e skautëve të FSHF-së. për t’u përmendur janë emra si Keslin Shani (Lokomotiva e Zagrebit), Armelindo Mema (QPR), Zajsar Arapi (Kickers Offenbach), Lion Cahani (Gorica), Fabian Shahaj (Den Haag), Henry Hysenagolli (Leganes CD) apo edhe Arbër Bytyçi (Laçi).
Gjatë këtij stazhi stërvitore Kombëtarja U-19 do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore ndaj Kombëtares U-18, që do të zhvillohet më datë 24 shkurt 2021, ora 10:30 në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës.
Kjo është edhe premiera e trajnerit, Armando Cungu në stolin kuqezi, pas emërimit të tij në këtë detyrë pak javë më parë.