Pas Kombëtares U-19 këtë javë ka qenë radha e Kombëtares U-15 që të nisë seleksionimet për lojtarët e talentuar të vitlindjes 2007 që aktivizohen në skuadrat shqiptare.
I gjithë ky proces është drejtuar nga Sektori i Ekipeve Kombëtare në FSHF me seleksionimin që është zhvilluar në në Qendrën Sportive të ekipeve kombëtare Kamëz, ku lojtarët e përzgjedhur kanë kryer testime nga më të ndryshmet, teknike dhe fizike. Seanca është drejtuar dhe ndjekur me kujdes nga specialistët e ekipeve kombëtare si edhe trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave Armando Cungu, Ervin Bulku, Armand Dama. Pas testimeve është zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli, ku janë aktivizuar të gjithë lojtarët e grumbulluar.
Pavarësisht problematikave që ka imponuar pandemia Covid-19, puna për evidentimin dhe përzgjedhjen e lojtarëve të perspektivës ka vijuar me të njëjtin intensitet duke vëzhguar vazhdimisht futbollistë në të gjithë Shqipërinë.
Trajnerët e ekipeve kuqezi të moshave dhe specialistët e sektorit të ekipeve kombëtare janë në kontakte të vazhdueshme me klubet, që kanë një peshë të madhe në punën e përditshme me futbollistët e rinj dhe kanë rol vendimtar për formimin e tyre. Në ditët në vazhdim seleksionimet do të vijojnë edhe me grup-moshat e tjera.