Kontrata e Elseid Hysajt me Napolin përfundon në fund të këtij sezoni dhe palët ende nuk kanë rënë dakort për një rinovim të mundshëm. E ardhmja e mbrojtësit shqiptar prej kohësh është bërë një çështje në Itali, megjithëse gjasat janë që të kaltrit ta humbin lojtarin me parametra 0. Në intervistën e dhënë për “Rai Sport” pas ndeshjes së mbrëmshme kundër Atalantës, Hysaj ka folur rreth rinovimit dhe trajnerit Gatuzo, vendi i të cilit ka nisur të lëkundet në pankinë.
“Ne jemi një grup i madh që besojmë te trajneri. Ishte një lojë e vështirë, por në fund të fundit një 0-0 është gjithmonë e mirë. Tani duhet të shohim përpara. E ardhmja? Unë duhet ta respektoj kontratën deri në fund të sezonit dhe pastaj do të mendoj për të ardhmen time. Shpresojmë ta përfundojmë këtë kampionat në mënyrën më të mirë. Jam shumë i përqendruar te Napoli, jam këtu për shumë vite dhe nuk mendoj për asgjë tjetër”, është shprehur Elseid Hysaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/