Aventura e Shkodran Mustafit me Arsenalin ka përfunduar, teksa lojtari ka nënshkruar përsëri me skuadrën e Shalke 04. Pavarësisht se kontrata e tij nuk kishte përfunduar me topçinjtë, mbrojtësi shqiptar preferoi të paguante një “gjobë”, për ndërprerjen e saj në mënyrë të një anëshme. Marrëveshja e firmosur mes Mustafit dhe Shalkes është me një kohëzgjatje prej 6 muajsh, me të drejtë rinovimi nëse të dyja palët mbeten të kënaqura.
Arsyeja kryesore e largimit të Shkodran Mustafit ishte pikërisht ardhja në stol e trajnerit Mikel Arteta, i cili nuk besoi tek aftësitë e tij në repartin e mbrojtjes. Megjithatë tekniku spanjoll ka ruajtur profesionalitetin duke e falënderuar 28 vjeçarin për mundin e dhënë për skuadrën e Arsenalit.
“Mustafi ka qenë një lojtar i rëndësishëm për ne për një kohë të gjatë. Ai luajti një rol kryesor në sezonin tim të parë si trajner dhe do të dëshiroja ta falënderoja për profesionalizmin dhe gatishmërinë e treguar në momentin që duhej të luante. Të gjithë tek Arsenali i urojnë Mustafit një eksperiencë të bukur tek Shalke”- ishin fjalët e Artetës për largimin e Shkodran Mustafit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/