“Se thoni Vllaznia e bukur”/ Duro tregon fitoret në sekondat e fundit, Bushi: Jo, ja ku ndryshon nga të tjerët

Shpëtim Duro dhe Alban Bushi janë të ftuar në emisionin “Pressing”, atje ku po diskutohet për Vllazninë kryesuese. Trajneri i Laçit është shprehur fillimisht se të gjithë ekipet duhet të luftojnë për vendin e dytë të kampionatit. Megjithatë kur përmendet shpesh loja e bukur e Vllaznisë, Duro kujton se ky luks vjen nga pikët e marra.

“E thashë që të gjithë duhet të luftojmë për vendin e dytë, po deri tani. Se nga ana tjetër mund të gabojë javën tjetër dhe hapet gara. Kam dëgjuar shumë në media që Vllaznia e bukur, Vllaznia e bukur. Pikët e marra të japin shumë moral. Se në ndeshjen tonë na ka ardhur vetëm njëherë në portë, ka marrë tre-katër fitore në minutat e fundit”.

Ndërkohë kur pyetet për diferencën e Vllaznisë me ekipet e tjera, Alban Bushi është shprehur: “9 pikë nuk janë shumë, por janë shumë për Vllazninë. Them kështu se nuk po gabon dhe për mendimin tim nuk ka për të gabuar shumë në këtë kampionat. Përse e them këtë? E shikoj harmoninë në ekip, kur e humb topin një lojtar dhe si i përgjigjet tjetri.

E shikoj kur Adili puth ballin e portierit se priti një top. Këto bëjnë diferencën nga harmonia që ka skuadra, për mënyrën sesi funksionon me lojtarët dhe stafin. Nuk shpallesh kampion se blen tre lojtarë shumë të mirë. Se një lojtari të mirë i ikën vlera kur e dërgon në një fushë të nivelit të ulët. Fundja nuk fitohet me tre lojtarë”, ka thënë Bushi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *