Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar dy ndeshjet e radhës të javës së 17 në Superiore. Tirana është rikthyer te fitorja duke lënë pas krizën e rezultateve, teksa i falet golit të parë të Taulant Seferit në transfertën e Apolonisë.
Nga krahu tjetër në të njëjtat shifra ka fituar edhe Laçi ndaj Teutës, ndërsa këtë herë heroi i takimit ishte Mentor Mazrekaj, që nuk e fali dhuratën e bërë nga durrsakët në mbrojtje. Më poshtë do të gjeni edhe intervistat e protagonistëve të takimit për “Supersport”:
Duro (Laçi): “Kampionati është i vështirë, nuk ka kundërshtarë të mëdhenj e të vegjël. Është një fitore shumë e rëndësishme ndaj një skuadre që ka shumë investime. Laçi tregoi vlerat e saj si skuadër. Ne duhet të respektojmë çdo kundërshtar, nuk kemi nënvlerësuar askënd. Ne po shohim edhe në Europë që ekipet e nivelit më të lartë që eliminohen nga ekipi i kategorisë së dytë apo të tretë. Ky është futbolli. Mazrekajn nuk ia kam gjetur unë telat, por mund të them se nëse do të vazhdonte me mua te Partizani kur ishte 25-vjeç, do të bënte karrierë. Më pas trajnerët e tjerë që erdhën te Partizani bënë që Mazrekaj të përfundonte në ekipet e dorës së dytë të Kosovës dhe ne ta merrnim me 0 kosto tani. Naubueze nuk do të gjuajë më penallti se ka humbur dy të tilla”.
Shehi (Tirana): “Jam më i kënaqur me fitoren pasi dihet momenti i vështirë që ne kemi. Apolonia po bënte mirë dhe ka marrë shumë pikë në javët e fundit. Na ka penguar shumë era dhe kushtet atmosferike që të luanim me topin poshtë. Kam parë një skuadër me karakter që do të bëjë mirë dhe mezi pret që të rikthehet. Kam një skuadër të mirë dhe tani po më kthehen lojtarët që i ka munguar Tiranës. Nuk duhet të shohim Vllazninë, por le t’i marrim ndeshjet një nga një. Kemi shumë punë për të bërë përpara”.
Kamarata (Apolonia): “Të vjen keq pasi e kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen me Tiranën. E humbëm për shkakun e një gabimi që kemi bërë. Por le të shohim përpara pasi ka edhe shumë ndeshje. Në 20 minutat e para na vendosi shumë në vështirësi kundërshtari, më pas nisëm edhe ne që të krijonim rastet tona. Era nuk mund të jetë alibi sot pasi ishte si për ne dhe për kundërshtarin. Ne duhet të kemi kurajon për ta fituar ndeshjen nga minuta e parë”.
Muçi: “Trajneri na ka thënë që lojtarët që janë më shumë teknikë, të krijojnë më shumë hapësirë për sulmuesit. Kemi ndryshuar shumë si ekip dhe kemi më tepër besim te vetja. Sot isha unë që mora topin dhe shërbeva për Seferin, ndeshjen tjetër mund të jetë e kundërta. E ardhmja? Po Halili po sheh interesimet që janë për mua, do të bëjë më të mirën që është në të mirën time dhe njëkohësisht për klubin. Unë do të shoh që të jap gjithçka për Tiranën tani dhe të përmirësohem”.