“Nuk është njësoj Milani me Splitin”/ Filozofia e Avdijajt, shembulli që nuk duhet të ndjekin lojtarët shqiptarë

Donis Avdijaj ose siç njihet ndryshe nga tifozët…”mister 50 milionëshi”. Disa vite më parë kur talentet shqiptarë që shpërthenin në Europë ishin ende me pikatore, dallohej një djalosh te Shalke 04 që konsiderohej me të ardhme premtuese. Vlerësimi i madh ishte për të edhe nga vetë klubi gjerman, por sjelljet e këtij lojtari jashtë fushës së blertë, me mungesë të qartë disipline, bënë që t’i vendoste “shqelmin” karrierës ende pa nisur mirë.

Më herët kërkohej nga Juventusi e Arsenali, ndërsa kohët e fundit po ndërron një numër rekord ekipesh në pak kohë. Së fundmi Avdijaj është pjesë e Emenit në Holandë, por do të largohet prej andej pasi ekipi është në periudhë të vështirë dhe sulmuesi nuk mund ta nxjerrë dot nga situata ku ndodhet, duke kërkuar që të braktis luftën.

Një karakteristikë kjo që i përket atyre futbollistëve që mund t’i quajmë “të dobët”, por Avdijaj zgjedh që të bëjë filozofi në intervistën për “Koha.net” duke u shprehur se nuk është njësoj si të rri në stol te Milani dhe të luash gjithmonë te Spliti në Kroaci.

“Kam mundur të qëndroj pa lëvizur, por ky nuk është qëllimi im. Kam dashur të gjej skuadër ku luaj rregullisht. Nganjëherë nuk ka të bëjë kualiteti, por mënyra dhe sistemi që zgjedh skuadra të luajë. Unë jam lojtar ofensiv, kurse skuadra po luan lojë defensive, gjë që nuk përshtatet me mënyrën e lojës sime. Ka gjasa që lëvizi sërish. Jam këtu që dy muaj e gjysmë. Por nga Limassoli ka një interesim. Është një skuadër interesante për mua. E shoh si opsion të mirë, sepse është në luftë për titull. Është tri pikë larg liderit, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Emmeni dhe trajneri janë në situatë të vështirë dhe kjo mua nuk po më përshtatet

Gjithçka që ka të bëjë me mua është në rregull. Jam shumë i lumtur, por dëshira ime është që të luaj. Ky është synimi im, të jem pjesë e një klubi ku luaj. Do të gjej rehati. Do ta kërkoj derisa të gjej klub, pjesë e të cilit do të jem për kohë të gjatë. Kam ende kohë, jam vetëm 24-vjeçar. Shumë mund të thonë se Avdijaj po i ndërron shpesh skuadrat. Por shumë të tjerë do të thoshin pse po qëndron në klub kur nuk po luan. Në moshën time është e rëndësishme të luaj rregullisht. Nuk është njëjtë sikur të qëndrosh te Milani rezervist dhe te Spliti të luash rregullisht”, u shpreh Avdijaj që është një shembull i qartë për talentet e rinjë shqiptarë që të mos e ndjekin të njëjtën rrugë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *