Tirana është duke kaluar një moment të vështirë, teksa ka humbur dy ndeshje mjaft të rëndësishme në derbi kundër Partizanit dhe ndaj Laçit. Gjithashtu kryeqytetasit përjetuan një risi në futboll, ku trajneri u shkarkua vetëm 15 minuta përpara sfidës. Megjithatë, edhe pse duket se trajneri është pika problematike e Tiranës, ish legjenda e këtij klubi, Rezart Dabulla u shpreh se problemi janë lojtarët, të cilët nuk justifikojnë paratë që fitojnë. I ftuar në emisionin “Pressing”, në ABC Neës, Dabulla u shpreh se fitimi i kampionatit është ëndërr gati e pamundur.
“Halilit paratë e harxhuara në verë do i shkojnë kot. Kanë ardhur lojtarë të dobët e më pas u paguan shumë para për të zhbllokuar merkaton. Erdhën edhe lojtarë në janar dhe janë shpenzim i madh. Kam respekt për Shehin dhe shpresoj të dalë kampion, por kjo është një mrekulli dhe unë mendoj se ata ndodhin vetëm në përralla.Nëse Tirana kap një vend në Kupat e Europës është arritje e madhe. “- u shpreh Rezarti.
Gjithashtu ai foli për gjendjen mes klubit dhe tifozëve, e cila është mjaft kritike. Rezultatet e dobëta kanë bërë që tifogrupi “Tirona Fanatics” të humbë besimin totalisht tek skuadra e zemrës.
“Nga ajo që kam parë shoh një krisje shumë të madhe të klubit me tifozët. Ata janë shumë skeptikë dhe nuk janë dakord me zgjedhjet e Tiranës në këto kohët e fundit. Klubi nuk diti t’i afronte tifozët as kur fitoi titullin.”- tha legjenda e Tiranës. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/