Vllaznia është duke vazhduar në rrugën drejt suksesit duke pasur të gjitha karakteristikat e duhura për të qenë ekipi kampion i Superiores. Një tjetër fitore ndaj Bylisit në “frymën e fundit” për të na kujtuar Tiranën e Egbos, që në sezonin e shkuar kishte të njëjtën fytyrë. Pra nëse bardheblutë nuk ishin duke fituar dhe minutat po shkonin drejt fundit, të gjithë e dinin se Tirana do të shënonte për të marrë tre pikët e radhës. Kjo po ndodh edhe me Vllazninë e këtij sezoni që është duke zhvilluar një kampionat më vete.
Për të motivuar futbollistët, ekipet e tjera konkurrente kujtojnë shpeshherë se kampionati nuk ka përfunduar ende. Por ashtu siç do të shprehej edhe Shkëlqim Muça: “Po këto skuadra, a do t’i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura?”. Në fakt kjo është e vetmja mënyrë për ta hequr Vllazninë nga kryesimi. Nëse shohim javën e 15 të kampionatit shqiptar në sezonin e shkuar, Tirana që është shpallur kampion ka pasur 22 pikë, ndërsa shkodranët me Bradriç kryesojnë me 35 pikë. Pra bëhet fjalë për 13 pikë më tepër në 15 javët e para.
Në atë kohë Egbo sapo kishte marrë Tiranën duke fituar derbin ndaj Partizanit në shifrat 1-2, për të nisur magjinë e fitoreve radhazi. E këtu duhet të ndalemi pasi në javën e 15 të sezonit të shkuar ishte Kukësi që kryesonte me 27 pikë. Verilindorët ishin në rrugën e duhur drejt titullit, ndërsa u ndalën vetëm falë mrekullisë së Egbo pas fitoreve të shumta radhazi. Duke krahasuar të dy panoramat, Vllaznia mund të largohet nga ëndrra vetëm nëse një skuadër e Superiores do të ndizet për të qenë në perfeksion në gjithë javët e mbetura. Por a ekziston ky ekip? Po, vetëm Vllaznia! Për momentin asnjë skuadër tjetër nuk i afrohet modelit që i heq titullin Vllaznisë. /Sport Ekspres/
Renditja e javës së 15 në sezonin e shkuar e përcjellë nga “Sport Ekspres”
Renditja aktuale e Superiores