Kategoria Superiore ka mbyllur javën e 15 të saj atje ku ka pasur edhe shumë emocione. Vllaznia ka arritur që të fitojë sërish në frymën e fundit me heroin e ri te shkodranët, Ardit Hoxhaj. Kur u mendua se ndeshja do të mbyllej në rrjeta të paprekura ndaj Bylisit, futbollisti i Vllaznisë dërgoi me kokë topin në rrjetë për të nisur festën e çmendur.
Adrenalina kapi kulmin pasi bëhej fjalë për aksionin e fundit ku shkodranët ndëshkuan kundërshtarin. Nga ana tjetër Kukësi ka lënë pas ecurinë negative të 6 ndeshjeve pa fitore duke mundur në rezultatin 1-3 Apoloninë. Një ndeshje kjo e cila nuk ishte e lehtë për verilindorët pasi Apolonia bëri gjithçka për ta surprizuar, ndërsa Peposhi dhe Eze mbyllën takimin kur minutat po shkonin drejt fundit. Surpriza e vetme ishte barazimi mes Laçit dhe Skënderbeut në shifrat 1-1, ndërsa Teuta fitoi ndaj Kastriotit 0-1 vetëm falë ekzekutimit perfekt të Bregut nga goditja e dënimit. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Dovedan (Bylis): “Për mua te goli i Vllaznisë ishte faull për ne. Adili është mbështetur me bërryl te lojtari ynë dhe pastaj dha atë pasimin ku erdhi goli. Ishte faull. Tani duhet të lini pak kohë, 15 ditë kohë, e do të kthehemi atje ku duhet. Ne kemi marrë dy futbollistë të mirë, por problemi është se kanë një muaj pa luajtur dhe do të mundohemi që të ngrihen në nivelin e tyre dhe të na ndihmojnë”.
Hallaçi (Kukësi): “Ne e dinim mirë që do të kishim vështirësi ndaj Apolonisë. Vinim me disa rezultate jo të mira, por ishim duke pritur kthesën. Skuadra kishte grintë sot, bëmë presion, lojtarët kanë bërë detyrat mirë dhe i kanë bërë kilometrat. Nuk është se nuk kishim besim për te kthesa, por vonoi pak. Ende jemi në një krizë dhe nuk kemi dalë prej këtej. Ia kam thënë lojtarëve që duhet të kthehen menjëherë në mbrojtje pasi humbin topin. Nuk e kemi bërë gjithmonë siç duhet, por do t’i përmirësojmë. Largimi im? Nuk më vjen mirë kur dëgjojmë lajme të tilla, mua më lëndojnë. Është mirë që të flisni me drejtuesit dhe pastaj të shkruani”.
Brdariç (Vllaznia): “Sot ishte një ndeshje shumë e veçantë, e vështirë, në të cilën ne kemi arritur që ta fitojmë ne sekondat e fundit. Kemi besuar te fitorja dhe ia kemi dalë. Ne fitojmë të gjithë dhe humbim të gjithë, nuk dua që të flas për lojtarë të veçantë. E dinim që do të zhvillonim një nga ndeshjet më të vështira në kampionat, pasi e tillë është fusha e Ballshit. Provuam topat e gjatë dhe ndryshuam pak për të fituar. Futbollistët e mi e kanë kuptuar se çfarë unë kërkoj nga ekipi dhe po i zbatojnë detyrat më së miri”.
Martini (Teuta): “Kastrioti ka një shpirt gare të jashtëzakonshme. E zgjidhi cilësia e Bregut dhe na dha tre pikët shumë të rëndësishme. Goli në minutën e fundit nga Vllaznia? Nuk e kemi mendjen fare, duhet të shohim që të fitojmë ndeshjet tona dhe të mos shpërqendrohemi. Kemi disa ndeshje që jemi cinik, nuk luajmë bukur, por janë të rëndësishme pikët. Tani jemi më pragmatist, dimë që ti sillemi pas golit të shënuar dhe kjo na ka munguar. Nuk po kërkojmë më ndeshje të bukura pasi na kanë ardhur në majë të hundës, pikët janë ato që kërkohen”.
Ndreu (Kastrioti): “Mua më ka pëlqyer shumë arbitrimi në këtë kampionat, kanë qenë shumë korrekt. Por sot nuk më ka pëlqyer shumë, kam vërejtjet e mia. I thashë arbitrit që para se të niste ndeshja, që të kishte kujdes me ata që stimulojnë. Sot te goli i Bregut nuk kishte të bënte fare me faull. Ky është futboll dhe një moment vendos gjithçka. Normalisht që ishte e vështirë që të ndalje kualitetet e Teutës”.
Bregu (Teuta): “Është e vërtetë që nuk kam qënë në formën e duhur në fillimin e kampionatit, ndoshta ka ndikuar edhe ambientimi këtu. Por le të vazhdojmë rezultatet positive dhe unë po rritem. Sigurisht që na ka zhgënjyer goli në fund te Vllaznia, pasi do të ngushtonim diferencën. Tani shpresojmë që të ndalet Vllaznia se ka seri fitoresh radhazi. Gjithsesi le të shohim punën tonë. Largimi im? Po më mirë të mos flas, se sa herë që them se do të largohem kam ngelur këtu(qesh). Do të ndihmojnë Teutën në objektivin e titullit kampion”.