U afruan me bujë të madhe, dy lojtarët shqiptarë përfundojnë në listën e dështimeve në Serie A

Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani kaluan nga njëri ekstrem në tjetrin në një kohë të shkurtër. Një sezon më parë ishin në qendër të vëmendjes, duke lënë gjurmë në fushën e lojës, ndërsa në këtë sezon të ri e shohin veten shumë larg pritshmërive të tifozëve dhe opinionit sportiv. Dy lojtarët dardan u afruan me bujë në skuadrat respektive, por kur është duke u mbyllur gjysma e kampionatit, nuk kanë mundur të justufikojnë shifrat e shpenzuara për ta.

“Corriere Della Sera” ka bërë një listë me dështimet e merkatos dhe në të nuk mungojnë as Muriqi e as Rrahmani. Ky i fundit numëron vetëm 4 minuta me Napolin, teksa debutimi erdhi vetëm mbrëmjen e djeshme. Sa i përket Muriqit, hapësira në fushë nuk i ka munguar, megjithëse ende nuk ka arritur të gjejë golin e parë me Lacion.

“Blerja e dytë më e shtrenjtë e epokës Lotito, e ndjekur për muaj të tërë, Vedat Muriqi është një nga zhgënjimet e kampionatit. Duke kushtuar 18 milionë euro, sulmuesi kosovar deri më tani ka bërë 11 paraqitje, 3 si titullar, pa shënuar asnjë gol të vetëm. Një performancë katastrofike, shumë larg pritshmërive të mëdha të vendosura tek ai nga Tare. Investimi për ta tërhequr atë nga Fenerbahce, siç u përmend, ishte i rëndësishëm, kështu që ai me siguri do të ketë mundësi të tjera. Gjithashtu sepse Caicedo, alternativa e parë në sulm, dëshiron të largohet. Inzaghi, të paktën me fjalë, ende beson te ai”, shkruan media italiane për Muriqin.

Ndërkohë për Rrahmanin shton: “U desh viti i ri për të dëshmuar debutimin e Amir Rrahmanit me fanellën e Napolit. Tre minuta kundër Cagliari, me rezultatin e fituar. I ndaluar për një kohë të gjatë për pozitivitetin te Covid, kosovari ishte i vetmi lojtar në skuadër i papërdorur ndonjëherë. Edhe Llorente, në fillim të sezonit jashtë skuadrës, u përdor më gjatë. Dhe të thuash që Presidenti De Laurentiis investoi 14 milion euro për ta transferuar atë nga Verona. Duhej të ishte një nga elementët e rindërtimit, por në vend të kësaj u mbyll nga Koulibaly, Manolas dhe Maksimovic. Koha, megjithatë, nuk mungon. Gattuso është i zoti të bëjë maksimumin e të gjithë materialit njerëzor të disponueshëm. Ai do të gjejë një mënyrë për ta bërë atë edhe me Rrahmanin“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *