Interi e ka nisur 2021 në mënyrën më të mirë duke shkatërruar Crotone-n në shifrat 6-2. Zikaltrit po tregojnë gjithmonë “dy fytyra” nën drejtimin e Contes, duke frikësuar tifozët në fillimin e ndeshjes dhe duke përmbysur gjithçka, për të pasur njëkohësisht edhe një ecuri fantastike të rezultateve të arritura në kampionat.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Crotonen, teksa miqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Zanellatos në minutën e 12. Martinez do të barazonte gjithçka në minutën e 20, ndërsa autogoli i Marrones i dërgoi shifrat në 2-1 në minutën e 30 të takimit.
Kur u mendua se zikaltrit morën frenat e dorës në lojës do të akordohej penalltia e cila u kthye në gol nga ana e Golemic, për të dërguar të dyja ekipet në dhomat e zhveshjes në shifrat 2-2. Megjithatë miqtë nuk kishin asnjë mundësi të vetme në pjesën e dytë për të dalë me pikë nga kjo përballje teksa dopieta e Martinez, goli i Lukakut dhe realizimi i Hakimit përmbylli shifrat 6-2. Tanimë Interi qëndron në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Milani, duke pritur “armiqtë e përjetshëm” në përballjen me Beneventon. /Sport Ekspres/