Ndeshja me Teutën lë një shije të keqe te Kukësi dhe kjo jo vetëm për rezultatin, por për mënyrën se si është ndarë drejtësia në fushën e lojës. Verilindorët pretendojnë për 2 penallti të padhëna dhe një karton i kuq i pa nxjerrë për kundërshtarët, të cilat padyshim kanë ndikuar në rrjedhën e lojës. Në një prononcim për “Rubrika Sportive” në “RTSH”, Safet Gjici nuk e fsheh aspak irritimin e tij me arbitrimin, duke kërcënuar në vendime ekstreme të klubit të tij në rast se nuk merren masa për gjyqtarët.
“Kemi katër ndeshje që dënohemi nga arbitrimi. Nuk dua të justifikohem, do e kërkojmë të keqen edhe brenda vetes, te stafi dhe lojtarët. Por të ndëshkohesh në mënyrë të tillë, duke na mohuar penallti, është e pafalshme. Në ndeshjen me Teutën na janë mohuar tri penallti dhe nuk është dhënë një karton i kuq për kundërshtarin. Të ndëshkohet një skuadër nga arbitrimi në katër sfida radhazi, kjo është e pafalshme.
Po të ishte dhënë penalltia e parë, atëherë ndeshja do të kishte marrë një drejtim tjetër. Unë nuk e kuptoj përse merren vendime të tilla. Do takohem dhe me presidentin e FSHF-së për të diskutuar këtë fenomen. Në një rast kur gjyqtarët kanë qënë në favorin tonë, janë dënuar me tetë javë, ndërsa në rastet e tjera, kur kanë punuar kundër, nuk është dënuar asnjë.
Do diskutojmë me presidentin e FSHF-së për të sqaruar situatën, në të kundërt do marrim dhe masa drastike, deri në vendime ekstreme, nuk vazhdohet kështu. Në gjithë këto vite, Kukësi ka qënë i pastër, ka nderuar FSHF-në, ka nderuar të gjithë shqiptarët.
Liga është, por çfarë kompetencash ka? Liga duhet të jetë vendimmarrëse. Arbitrat duhet të shkëputen nga FSHF. Të fitojë më i mirë, kujt i takon. Dua të them se humbja me Teutën nuk mund të justifikohet, do ketë analiza të thella si dhe do merren masa.
Gega? U ndëshkua nga shumë faktorë, u ndëshkua dhe nga lojtarët që nuk bënë punën si duhet. Unë Gegës i thashë nuk ke përse nxitohesh, por ai e kishte marrë vendimin. Skuadrën tani do e drejtojë Hallaçi”, është shprehur Safet Gjici./Halit Delibashi-Sport Ekspres/