“Vllaznia të jep kënaqësinë e të parit futboll”, Shehi komenton Superioren: Tirana? Ka edhe merkato të dështuara

Superiorja ka mbyllur sot javën e saj të 12 dhe do të rinisë përsëri më 9 janar. Vllaznia ka bërë befasinë e madhe këtë sezon, ku nga ekipi që luftonte për mbijetesë, tashmë mban vendin e parë në renditje me 6 pikë diferencë nga ndjekësi më i afërt. I ftuar në “Sport Magazine”, i moderuar nga Drilon Xhepollari, Orges Shehi ka komentuar javën e fundit të kampionatit tonë për këtë vit.

Ish-trajneri i Kukësit vlerëson kuqeblutë e Shkodrës për paraqitjet e bëra në fushën e lojës, duke i veçuar si ekipin që e ka surprizuar më tepër. Megjithatë për të shkaur te titulli kampion, Shehi e sheh pak të vështirë, pasi sipas tij drejt këtij objektivi madhor shkohet hap pas hapi. Ndërkohë sa i përket Tiranës, ish-portieri është i mendimit se merkatoja bardheblu ka dështuar dhe kampionët në fuqi janë larg asaj të vitit të kaluar.

“Tirana nuk është e plotë akoma në organikë. Ka një ndeshje të vështirë. Luan përballë një kundërshtari që është një nga më të mirët në këto javët e para, 12 javë, një skuadër që vazhdon të shprehë shumë pak oshilacione nga ndeshja në ndeshje. Është po ajo Vllazni, që luan shumë vertikal.

Kjo shkëputje e Vllaznisë është rrjedhojë e këtyre që po them, është një skuadër që në këto 12 javë luan shumë bukur, është gjithmonë prezente te porta, sulmon me shumë forca. Luan me një sistem 4-3-3, si pak skuadra në kampionatin tonë. Është një mënyrë loje që i vendos të gjithë lojtarët në punë dhe kanë entuziasëm. Ka një distance prej 3 pikësh. Është një shkëputje që jep besim.

Që të dalësh kampion me një skuadër që me zor shpëton (nga kategoria) do të jetë një sukses i madh. Një skuadër që të dali kampion duhet të përgatitet pak, domethënë të dali e 2-ta, e 3-ta, apo të fitojë një Kupë dhe pastaj të dali kampion. Por kjo nuk i heq mundësinë për të ëndërruar. Nëse do vazhdojnë me këtë ritëm, dëshirë dhe mënyrë loje, atëherë do të jenë pretendentët kryesorë për të dalë kampion.

Nuk është një Tiranë si në vitet e kaluara. Ka kaluar një tranzicion. Në këtë periudhë që ne flasim, nuk e ka organikën e plotë, ka dëmtime dhe jo lojtarë dosido, por me lojtarë të rëndësishëm. Prurjet e reja nuk janë ato që prisnin. Meraktoja jo gjithmonë është efikase. Ka edhe merkato që dështon. Ato janë lojtarë të rinj, mund të jenë të perspektivës, por për momentin nuk po e tregojnë veten për objektiva madhore.

Ekipi dhe portieri që më kanë surprizuar? Mendoj që Vllaznia është skuadra që më ka surprizuar dhe e shoh këndshëm. Një skuadër që të jep kënaqësinë e të parit futboll. Ky është ekipi i momentit i këtyre 12 javëve. Për portierët mendoj që vazhdon Hoxha të tregojë stabilitet. Mendoj që një portier apo mbrojtës janë poste specifike që kërkojnë përqendrim dhe do një performancë, që edhe kur të jetë dita e tij më e keqe të mos bjerë nën 80%”, ka deklaruar Orges Shehi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *