Ardhja e Pepe Reinës supozohej të sillte vetëm eksperiencë dhe më shumë siguri për Strakoshën, por në fund e vetmja gjë që ka marrë prej saj gardiani shqiptar ka qenë stoli i rezervave. Gardiani i Kombëtares kuqezi ka humbur prej kohësh vendin e titullarit në portën e Lacios, ku përpara se të fillonte ky sezon shihej si i pazëvendësueshëm.
Por situata ka ndryshuar dhe si për të mos mjaftuar kaq, Reina do të jetë në kryeqytetin italian edhe për një tjetër vit. Në këto kushte largimi mbetet një alternativë më e mirë se pankina për Strakoshën. Te Lacio duket se kanë nisur të mendojnë seriozisht për të siguruar njëherë e mirë katërkëndëshin e tyre dhe zgjidhjen nuk e gjejnë te portieri shqiptar, por në La Liga.
Rui Silva përfundon kontratën e tij me klubin e Granadas në janar dhe mund të firmosë si lojtar i lirë që në ditët e para të vitit të ardhshëm. Sipas “Calciomercato.com”, bardhekaltrit duket se kanë parë një mundësi mjaft të mirë me portugezin, teksa janë interesuar menjëherë pranë klubit të elitës spanjolle për më tepër detaje mbi lojtarin. E nëse një transferim i tillë realizohet, atëherë Thomas Strakoshës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të gjejë një tjetër skuadër për të vijuar karrierën e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/