Romelu Lukaku ka gjetur formën e duhur te Interi, duke marrë mbi shpatullat e tij sulmin zikaltër. Belgu është një peshë e rëndë për ekipin e Konts dhe këtë e pasqyrojnë fare mirë statistikat e tij gjatë periudhës që është pjesë e klubit italian. Rëndësinë e tij në ekip e di edhe vete lojtari, i cili në një intervistë për “Knack“, lë mënjanë modestinë dhe shprehet se në fushë nevojiten lider si ai apo edhe si Vidal, Sanchez dhe Barella. Lukaku tregon gjithashtu marrëdhënien e tij në vijën e sulmit me Lautaro Martinezin, ndërsa shton se e rendit veten e tij në 5 sulmuesit më të mirë në botë.
“Para se të mbërrija këtu, unë pashë disa ndeshje të Interit dhe nganjëherë shihja Lautaron vetëm përpara. Menjëherë ndjeva se ai mund të bënte një hap përpara nëse na bënin bashkë së shpejti. Ndonjëherë është dita e tij, herë të tjera është e imja. Nëse e pranon këtë, gjithçka do të jetë mirë. Unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kam, kështu që nuk kam të drejtë të ul krahët. Nëse i lëshoj krahët, kjo menjëherë ka një ndikim negativ në grup. Në fushë ka nevojë për udhëheqës si unë, si Arturo Vidal, Nicolo Barella ose Alexis Sanchez. Vetëm me një qëndrim të tillë ju mund të transformoni mendërisht një ekip dhe të përmbysni një lojë.
Më pëlqente shumë futbolli vertikal. Isha shumë i rrezikshëm. Unë jam i shpejtë, mund ta eliminoj kundërshtarin tim të drejtpërdrejtë me një driblim, ose të devijoj në të majtë, por edhe në të djathtë. Kombëtarja më detyroi të ndryshoja stilin tim të lojës. Unë në pesë më të mirët tani? Për pesë muajt e fundit, po. Nuk dua ta rendis nga një në pesë, por për momentin jam pjesë e saj”, ka thënë Romelu Lukaku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/