Partizani fitoi në shifrat 4-1 kundër Kukësit në takimin e vlefshëm për javën e 11 të Superiores. Trajneri Ilir Daja ka treguar emocionet e kësaj përballje që e ka ndjekur nga shtëpia. Në një lidhje “Skype” për Rubrika Sportive, Daja shprehet se edhe në janar nuk pritet ndonjë merkato çudibërëse.
“Më pëlqeu dëshira e lojtarëve. Kemi një grup lojtarësh që kanë mbatur gjithë peshën gjatë këtyre ndeshjeve. Nuk më pëlqeu fakti që kundërshtari krijoi raste. Kjo do të thotë se duhet të jemi më të vëmendshëm”.
“Të shikosh skuadrën nga shpia? Qenka e vështirë kur e shikon nga TV dhe mungon komunikimi live. Kur je në fushë, përfshihesh në ndeshje dhe është ndryshe”.
“Merkato? Nuk mendoj se do të ndodhë një merkato çudibërëse, sepse kaq ofron tregu në këtë periudhë. Do të përpiqemi të krijojmë një kontrigjent më të dubluar. Unë shpresoj që të kemi sa më pak dëmtime. Nëse do të gjenim ndonjë element që do bënte diferencën, atëherë kjo do të ishte ajka”, ka thënë Daja. /Sport Ekspres/