Juventusi u ndal në barazim me shifrat 1-1 në përballjen ndaj Atalantës, duke humbur kështu mundësinë për t’ju afruar sa më shumë kreut të klasifikimit, aty ku jemi mësuar shpesh ta shikojmë këtë skuadër. Bardhezinjtë kaluan në avantazh me Kiezën, ndërsa Frojler solli barazpeshën në këtë takim.
Ndryshe nga herët e tjera, Ronaldo humbi shansin e artë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i mohuar fitoren ekipit të tij. Sipas trajnerit të Juventusit, Pirlo, arsyeja kryesore për këtë barazim ishte mos përqëndrimi i lojtarëve të tij në fushën e lojës, pasi Atalanta nuk ishte dhe aq e vështirë.
“Kjo nuk ishte ndeshja më e komplikuar e sezonit. E dinim që do të përballeshim me një skuadër që luan me ritëm të lartë, por mendoj se u përshtatëm shumë mirë. Ajo që na mungoi ishte përqendrimi maksimal, pasi mund ta kishim çuar ndeshjen në 2-0. Ndeshje të tilla fitohen vetëm me përqendrim maksimal, prandaj duhet të përmirësohemi”- u shpreh trajneri italian./Elio Hajdari-Sport Ekspres/