Skuadrat kanë njohur mesditën e sotme kundërshtarët që do të kenë në fazën me eliminim direkt në Champions League. Juventusi ka gjetur si rival Porton, një kundërshtar i lehtë në letër, por me një traditë në Europë. Të paktën i këtij mendimi është presidenti Andrea Anjeli. Klubi portugez dërgon pas në kohë bardhezinjtë, që 3 vite më parë fati i vuri përballë njëra-tjetrës dhe atëherë “zonja e vjetër” prekte finalen.
Por ndeshja e parë nuk sjell kujtime të mira për Leonardo Bonuçin, i cili pas një përplasje me Alegrin e gjeti veten në tribunë. Përkrahë Nedved dhe Marotës, por i ulur në një stol të veçantë, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Këtë ngjarje e risjell sërish në kujtesë Anjeli, që me humor shprehet se për supersticion fjalët e para që u thanë në kampin bardhezi ishin të gjenin një stol për Bonuçin.
“Me pak bestytni ne bëmë shaka se menjëherë do të gjenim një stol për Bonuçi. Ne kemi lënë gara për vite me radhë pas shorteve që mendojmë se janë të favorshme. Asnjëherë nuk duhet ta heqim vëmendjen tone. Do përballemi seriozisht me Porton, një kundërshtar me një traditë të madhe europiane, të një steme të madhe. Përballemi me një nga ekipet më të mëdha”, ka thënë Andrea Anjeli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/