Këtë herë është e vërtetë dhe jo një nga ato premtimet e shumta të pabaza që kemi dëgjuar në vitet e fundit. Dinamo po kthehet në Superiore! Të paktën deri në këto momente jemi duke parë një skuadër që nuk ka asnjë ngjashmëri me turpërimet e kohëve të mëparshme atje ku gjithmonë endej mes vendeve të fundit në Kategorinë e Parë.
Një tjetër fitore e rëndësishme ka ardhur ndaj Beslidhjes duke e mundur në shifrat 2-0. Në pjesën e parë ishte Da Silva që kaloi kryeqytetasit në avantazh dhe më pas Xhixhua që i dha qetësinë Dinamos në minutat e fundit. Pas kësaj fitore arrijnë që të marrin vendin e parë me 16 pikë dhe 2 më tepër se Burreli, me ndeshjen direkte që do të luhet në takimin e radhës.
Ndërkohë një tjetër statistikë mbreslënëse është se Dinamo ka pësuar vetëm një gol, duke mbajtur portën e paprekur në shumicën e takimeve. Ndërkohë në përballjen tjetër ishte Partizani B që arriti të fitonte në transfertën ndaj Orikut në shifrat 0-2 falë golave të Marinaj dhe Allmetaj. /Sport Ekspres/