Pas humbjes së marrë nga ana e Partizanit ndaj Vllaznisë, ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, tregon atë që nuk shkon tek të kuqtë sipas mendimit të tij. Gjithçka lidhet me lojtarët që vijnë nga stoli dhe kanë pretendime të mëdha, duke sjellë kështu një mungesë të impenjimit në fushën e lojës. I ftuar në “Sport News Plus” që transmetohet në “Neës 24”, Mema është shprehur se disa futbollistë të Partizanit nga të cilët pritet diferenca nuk kanë dhënë asnjë lloj kontributi dhe nuk e pranojnë me profesionalizëm vendimin që merr trajneri.
“Partizanit i vijnë të këqijat nga stoli. Bardhi, Asani dhe Melo kanë pretendime të jenë lojtarë formacioni. Nuk bën shumë ndryshime në fushë nga pjesa tjetër. Hyjnë pa personalitet. Nuk ka dhënë asnjë lloj kontributi. Këta s’kanë dhënë asgjë sot. Kanë më shumë eksperiencë se të tjerët. Mendoj se Daja duhet të punojë më shumë me këta lojtarët.
Lojtari mund të jetë në stol, tribunë dhe në fushë. Profesionisti e jep dorën, jo ta tradhëtosh ekipin. Nuk më pëlqyen fare si kanë hyrë në fushë. Kam vënë re në dy ndeshjet e fundit. E nisi me disa lojtarë të rinj sot, jo me Bardhin, me Carën në sulm, Mala ishte në krah. Melo ishte inekzistent në fushë. Ai që është i pakënaqur me trajnerin, më mirë të ngrejë dorën dhe të mos u prishë punë shokëve të skuadrës”, tha Mema. /Sport Ekspres/