Jasir Asani është një nga lojtarët më të mirë te Partizani, me të kuqtë që kanë mundësinë për të shfrytëzuar aftësitë që zotëron ky futbollist kualitativ. Madje vlerat e mëdha i tregoi menjëherë edhe te AIK, duke u paraqitur denjësisht edhe në Suedi.
Shpeshherë në jetë duhet të shoqërojë edhe fati përpos punës për të mbërritur larg, ndërsa për Asanin nuk ishte koha e duhur. Për shkakun e pandemisë, AIK është detyruar që ta rikthejë lojtarin te Partizani. Ndërkohë në një intervistë të gjatë për emision “Pit Stop” që transmetohet në Klan Maqedonia, Asani ka folur për shumë tema, mes të cilave edhe duke i kthyer përgjigje një ftese të mundshme që mund t’i vijë nga “rivali i përjetshëm” i klubit të tij, Tirana.
“Tani kam 4 vite në Tiranë, më ka pëlqyer shumë ky vend dhe më tepër rri këtu se në Maqedoni. Nuk më bëhet të iki dhe më pëlqen shumë ky qytet. Kjo pandemia na ka prishur shumë punë. Nëse nuk do të ishte Koronavirusi, nuk do të isha kthyer. U paraqita shumë mirë te AIK, shënova gola, por kjo pandemia na ka shkatërruar të gjithëve. Gjithsesi jam i lumtur që luajta me lojtarë të nivelit të lartë te AIK dhe atje kishte tifoz të mrekullueshëm. Te AIK nuk e prisnin që do të ikja, por futbolli është edhe fat. Tani ruaj kontaktet vetëm me portierin dhe Larson që shkruajmë në çdo ditë.
Te Partizani po merren tani me merkaton dhe në janar pritet që të hapet shumë shpejt dhe të ketë përgjigje pozitive nga UEFA. Gjithsesi edhe tani e kemi ekipin e duhur për të dalë kampion. Objektivi? Partizani ka në çdo vit qëllim për të fituar Kupën dhe kampionatin. Unë do të jem i Partizanit deri në fundin e këtij sezoni. Si Nderim Nexhipi nuk ka pasur asnjë lojtar tjetër në Maqedoni, një talent shumë i madh. Kur erdhi te Partizani e bëri menjëherë diferencën dhe fitoi zemrën e tifozëve. Besoj se Nexhipi do të jetë legjenda e Partizanit. Ne takohemi, pimë kafe shpeshherë, po e kam rrahur edhe në Maqedoni kur kemi luajtur, nuk bëhet fjalë ajo. (qesh)
Daljet natën? Shumë rrallë dalim, vetëm kur fitojmë derbin. Ndeshja më e bukur me Partizanin ishte kur fituam 1-0 ndaj Tiranës me golin e Malës. Nëse vjen një ofertë nga Tirana? Jam i Partizanit, por vendos Gaz Demi (qesh). Nuk besoj se do të largohesha për shkakun se doja të luajë në Europë, ndërsa në Shqipëri të vazhdoj te Partizani se është një ekip i madh dhe më ka ndihmuar shumë”, u shpreh Asani. /Sport Ekspres/