Shqipëria ka mësuar ditën e sotme rivalët ndaj të cilëve do të provojë shanset e saj për një vend në Katar 2022. Goglat nuk janë treguar bujare me kuqezinjtë, të cilët do të kenë përballë Anglinë, Poloninë e Levandovskit, apo edhe Hungarinë me disa talente që po spikasin në Europë. Ndërkohë grupi plotësohet me Andorrën dhe San Marinon.
Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook“, kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka komentuar kundërshtarët e kuqezinjve, ndërsa nuk mund të fshehë dëshirën për një fitore në mitikun “Uembli”. Më tej presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit zbulon edhe objektivin e Kombëtares në këto kualifikuese, që është vendi i 3-të në grup, megjithëse gjatë rrugëtimit mund të medohet edhe për play-off-in.
“Grupi I i Botërorit, është një grup i vështirë. Anglia, Polonia, Hungaria, Andorra dhe San Marino do të jenë skuadrat tona kundërshtare. Do të ishte e bukur një fitore në “Ëembly”. Tek të tjerat duhet të bëjmë maksimumin.
Na duhet që të sfidojmë Poloninë dhe Hungarinë brenda dhe jashtë. Të mos bëjmë asnjë hap fals me Andorrën dhe San Marinon. Objektivi real është vendi i tretë. Por hap pas hapi s’duhet të mos mendojme play-off-in. Gjithmonë me objektivin për të patur një skuadër, që synon kualifikimin në Euro 2024”, shkruan Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/