Shqipëria, Polonia dhe Hungaria, në pamje të parë këto do të jenë Kombëtaret që do të luftojnë për një vend të dytë në kualifikueset e Kupës së Botës. Shorti i hedhur pasditen e sotme i ka vendosur këto ekipe përballë njëri-tjetrit dhe trajnerët menjëherë kanë nisur të bëjnë llogaritë e tyre.
Në konferencë për shtyp për mediat polake, Jerzy Brzeczek, ka folur për nivelin e këtij grupi, të cilin nuk e konsideron të vështirë. Trajneri i Polonisë e ka cilësuar Shqipërinë si një rival të parehatshëm, por shqetësimin më të madh e ka te ato që shihen si më të dobëtit e grupit në letër, Andorra dhe San Marino. Madje ndaj këtyre të fundit është kthyer pas kohë duke sjellë një rast nga periudha kur është ndeshur vetë në fushën e lojës dhe Kombëtarja e tyre ka fituar ngushtë 1-0 falë një goli me dorë.
“Është një grup i moderuar. Në terma realë, ky nuk është grupi më i vështirë. Mendoj se Anglia është qartësisht favoritë. Hungarezët janë përfundimisht një ekip interesant dhe Shqipëria është një rival i parehatshëm. Teorikisht, Andorra dhe San Marino janë kundërshtarët më të dobër, por unë do ju paralajmëroja të mos i përbuzim. Më kujtohet kur kam luajtur si futbollist kundër San Marinos, ku ne fituam 1-0 dhe Jan Furtok shënoi me dorë. Duhet të kemi kujdes“, ishte deklarata e Jerzy Brzeczek./Halit Delibashi-Sport Ekspres/