Armando Sadiku zhduket pa asnjë arsye nga Erzurumspori, gjithçka po i shkon keq në Turqi

Erzurumspori u pa si një “varkë shpëtimi” për Armando Sadikun duke nënshkruar me ekipin turk. Megjithatë asgjë nuk po shkon si duhet në këtë aventurë të re, atje ku sulmuesi ka humbur Kombëtaren dhe nuk luajtur më tepër se 9 minuta në elitën e futbollit turk. Për më tepër në një prej ndeshjeve do të aktivizohej në minutën e 88 dhe ajo që mbahet mend prej tij është ndëshkimi  dy herë me karton të verdhë në një kohë rekord, për të dalë nga fusha kundër Goztepes para vërshëllimës së trefishtë të arbitrit.

Sadiku u aktivizua për herë të parë si titullar në ndeshjen e fundit që zhvilloi Erzurmspori duke qenë 100 minuta në fushë kundër Ankara Demispor, në përballjen e Kupës. Megjithatë sulmuesi elbasanas nuk realizoi dot as kundër ekipit të Ligës së Dytë për të vërtetuar krizën që po kalon. Ndërkohë në ditën e sotme Erzurmspori është duke luajtur kundër Konyaspor. Kjo ndeshje duhej të ishte si një derbi mes sulmuesve shqiptarë.

Megjithatë asnjë prej tyre nuk gjendet as në stol, teksa Cikalleshi ka një dëmtim muskulor. Nga ana tjetër Armando Sadiku nuk shihet askund dhe për këtë vendim nuk është raportuar asnjë arsye e vetme. Shumë prej tifozëve kanë pyetur në faqen zyrtare të ekipit se përse ka ardhur ky vendim, por nuk është marrë ende një përgjigje. Sadiku është stërvitur rregullisht me ekipin deri përpara kësaj përballje, por në ditën e sotme nuk shihet as në stol dhe sipas gjasave mund të jetë një vendim teknik i trajnerit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *