Përpara derbit mes Partizanit dhe Tiranës ka folur edhe figura e njohur e kryeqytetasve, që ka dhënë kontributin e tij për një kohë të gjatë tek të kuqtë, Lorenc Trashi. Tashmë ky futbollist nuk do të ketë mundësinë për të përjetuar emocionet e derbit të Shqipërisë pas aventurës së re që nisi në karrierë, megjithëse nuk lë asnjë javë të kampionatit shqiptar pa ndjekur. Në një lidhje direkte për “Procesi Sportiv”, Trashi ka ngacmuar bardheblutë duke u shprehur se në gjashtë vitet e tij te Partizani ka humbur vetëm një derbi në fushën e lojës. Për më tepër është bërë edhe një parashikim i saktë i rezultatit sesi do të dali në këtë javë.
“Nuk e lë asnjëherë kampionatin shqiptar pa e ndjekur. Partizani është duke bërë një ecuri të mirë. Thanë në fillim se as në pesë vendet e para nuk do të ishte Partizani, me merkaton e mbyllur. Por duket dora e Dajës, Bardhi është duke u përshtatur në mënyrën më të mirë në këtë pozicion të ri. Po e bën me sukses. Rreth 80% e ekipit aktual janë baza që ka dalë kampion te Partizani. Derbi? Po kam luajtur gjashtë vite i veshur në atë fanellë, kam kaluar vitet më të mira të jetës. Vetëm një derbi kam humbur në fushë me golin e Kobinës, se nuk kam qenë te derbi i humbur në shifrat 5-1. Mendoj se këtë herë do të fitojë Partizani ngushtë në shifrat 1-0 dhe me realizimin e Solomon. Tifozët? Sigurisht që i duhen stadiumit, i japin më tepër emocion dhe rivaliteti është i kuptueshëm pasi prandaj quhet derbi. Por ka disa momente që me koret, nuk çon dot familjen në stadium”, ka thënë Trashi. /Sport Ekspres/