Një fitore bindëse ka qenë ajo e Partizanit ditën e sotme, që ka shkatërruar me shifrat 4-0 Skënderbeun. Daja nuk ka shfaqur mëshirë ndaj së shkuarës dhe të kuqtë kanë qenë të pandalshëm në fushën e lojës. Esat Mala jep një asist fantastik për Bardhin në minutën e 7 të takimit dhe kaq pak lojë mjafton për të zhbllokuar ndeshjen.
Ndërkohë Mala nuk ndalet me një asist ditën e sotme, pasi nga goditja e dënimit dyfishon rezultatin me një gol për kornizë, që pa frikë mund të konsiderohet më i bukuri i sezonit deri më tani. “Rebeshi” në portën e Skënderbeut do të vazhdonte deri në sekondën e fundit të pjesës së parë, atëherë kur Kardozo shënon nga distanca. Ndërsa në fund është Solomon që vulos shifrat përfundimtare të takimit.
Partizani i Ilir Dajës është duke zhvilluar një sezon pozitiv këtë vit në Superiore, teksa shfaq përmirësim nga ndeshja në ndeshje. Ndeshja e radhës është derbi me Tiranën dhe “demat e kuq” e kanë dërguar mesazhin e tyre për rivalin e përjetshëm, pasi që sot i treguan dhembët me këtë festival golash./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
LIVE, Partizani-Skënderbeu 4-0 Bardhi 7′, Mala 20′, Kardozo 45’+ 2′, Solomon 71′
Partizani: Hoxha, Idrizaj, Bitri, Belica, Hakaj, Kote, Broja, Kardozo, Mala, Bardhi, Solomon
Skënderbeu: Dajsinani, Vitija, Bicaj, Duka, Vangjeli, Taipi, Dououna, Çela, Berisha, Tereziu, Pusi