Ka startuar edicioni i parë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ndeshja e parë që çeli nisjen e këtij kampionati u zhvillua mes ekipeve të zonës së Tiranës. Para nisjes së ndeshjes së parë të sezonit është zhvilluar edhe një ceremoni ku ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe përgjegjësi i projektit të Futbollit 5×5 në FSHF, Lysien Nurishmi.
Duke folur para mediave Sekretari i Përgjithshëm, Shulku u shpreh i lumtur për nisjen e këtij kampionati dhe shpjegoi përfitimet që do të kenë skuadrat që do të marrin pjesë në këtë turne. “Sot nis Kampionati Kombëtar i Futbollit 5×5. Ky model futbolli është luajtur, luhet dhe do të luhet gjithmonë. Deri dje ka qenë quajtur futboll mes shokësh, ndërsa sot do të jetë nën organizimin e Federatës së Futbollit, ku pa diskutim do të jetë një organizim ndryshe nga ç’është luajtur deri sot. Që do të thotë se është një kampionat i organizuar me arbitra profesionistë, me delegatë, me mjekë dhe me siguri.
Do të ketë edhe benefite për skuadrat e tjera dhe për të gjithë kampionatin, uniformat dhe topat do të jenë falas nga Federata e Futbollit. Do të ketë premio, shpërblime për ekipet që renditen të parat në zonat e tyre dhe një premio e madhe për ekipin kampion. Jam i bindur që do të jetë një kampionat sa më kompetitiv dhe të gjithë njerëzit që do vijnë të luajnë këtu, të kënaqen dhe kuptohet të luajnë sa më shumë futboll. Jemi të kënaqur sepse meqenëse është hera e parë qe organizohet, janë regjistruar 140 ekipe dhe ka akoma ekipe të tjera që kërkojnë të regjistrohen.
Regjistrimet janë të hapura akoma, jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë, kështu që shpresoj që ky numër të rritet shumë shpejt dhe ndoshta që këtë vit mund të shkojnë 250-300 ekipe”, – tha Shulku, duke shtuar se ky kampionat do të zhvillohet në rang rajonal, në çdo qytet dhe pastaj fituesit e çdo zone e mini-kampionatit do të zhvillojnë fazën play-off për të shpallur dhe ekipin kampion kombëtar midis fituesve të këtyre zonave. Në ditët në vijim do të hidhet edhe shorti për zonat e tjera të Shqipërisë për t’i hapur rrugë nisjes së plotë të këtij edicioni.
Ndeshja e parë e sezonit u luajt midis skuadrave, Royal dhe Tring, që përfundoi me rezultatin 8-6. Skuadrat e kampionatit të futbollit 5×5 kanë të garantuara fushën e lojës, uniformat, topat e lojës dhe ndeshjet do të gjykohen nga arbitra profesionistë, do të ketë mjekë e siguri. Skuadra që shpallet kampione e Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5 do të përfitojë një shpërblim prej 300,000 lekësh, kurse vendi i dytë fiton 100.000 lekë. Skuadra e renditur e para në kampionatin rajonal merr si shpërblim 75.000 lekë dhe 5 topa, ndërkohë që vendi i dytë i kampionatit rajonal fiton 25.000 lekë dhe 5 topa.