Intervistat/ “Prisni vetëm dy vite”, Memushaj sheh larg: Ky grupi më i fortë që kam parë te Shqipëria…

Nuk ndodh gjithmonë në jetë që të shohësh Shqipërinë për të dalë në vendin e parë. Por kjo ka ndodhur në këtë grup të Ligës së Kombeve, atje ku kuqezinjtë e mbyllën këtë edicion me meritë si kryesues.

Megjithëse bëhet fjalë për rivalë modest dhe ku Kumbëtarja ka bërë vetëm detyrën, ky tregues i suksesit është një shenjë e mirë për të ardhmen. Shqipëria ka arritur që të fitojë edhe ndaj Bjellorusisë në shifrat 3-2, por me një rezultat që nuk është tregues i lojës.

Dopieta e Cikalleshit krijoi përshtypjen se do ta kishim shumë të lehtë fitoren ndaj kundërshtarit të sotëm, në këtë finale për vendin e parë. E teksa Bjellorusia nuk po krijonte asnjë aksion, një gabim dhe shpërqëndrim në mbrojtje “dhuron” golin e parë të ngushtimit të diferencës me Skavysh. Menjëherë ishte Manaj që thelloi shifrat dhe i dërgoi në 3-1, për t’i dërguar kuqezinjtë në dhomat e zhveshjes me qetësi. Në pjesën e dytë kishte një ulje të ritmit të ndeshjes dhe një tjetër gol ka ardhur nga Ebong në minutën e 80, që vetëm sa ka tensionuar minutat e fundit. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve:

Memushaj: “Nuk është merita e një lojtari, por e gjithë grupit. Nuk është merita vetëm e Cikalleshit që shënoi dy gola apo e imja, por e gjithë Kombëtares. Për mendimin tim ky është grupi më i fortë që kam parë te Shqipëria që kur kam ardhur këtu. Kjo pasi ka të rinjtë që janë shumë premtues dhe duhet të presim vetëm dy vite për të parë shpërthimin e tyre”.

Reja: “Përse e vështirësuam kaq shumë situatën? Ju e dini formën e lojtarëve tanë dhe gjendjen e tyre. Kemi shumë futbollistë që nuk luajnë në klubet e tyre, që nuk aktivizohen. Memolla ka një muaj që nuk luan, Ismajli ka dy muaj që nuk luan, Gjasula që nuk po luan dhe Veseli që ka përfunduar në stol në klubin e tij. Por ne kemi luajtur tre ndeshje në pak ditë dhe i kemi fituar të treja. Ata ishin më mirë fizikisht dhe kjo u ndie. Nuk gjej kritika dhe duhet të komplimentoj djemtë që treguan se e duan Kombëtaren, treguan shpirtin e duhur. Për t’u vlerësuar është debutimi i shumë lojtarëve të rinjë si Broja, Kallaku, Selahi. Gjimshiti ka bërë dy ndeshje të shkëlqyera, sot ka mbajtur gjithë mbrojtjen në këmbë. Nëse nuk do të ishin këta veteranë, do të gabonin edhe të rinjtë.

Cikalleshi: “E kemi prishur disi ekuilibrin tonë me golat e pësuar, por faleminderit Zotit që kemi fituar. Shpërthim im? Fakti që luaj me dy sulmues ndikon, pasi jam më afër portës. Gjithashtu edhe eksperienca ka të bëjë shumë. E njohim të gjithë lojën e njëri-tjetrit te Kombëtarja. Me Manajn kemi arritur që të funksionojmë së bashku dhe statistikat nuk gënjejnë, jam më produktiv me të. E kam kapur këtë moment të mirë dhe duhet të punoj fort për ta mbajtur këtë mundësi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *