Nuk ndodh gjithmonë në jetë që të shohësh Shqipërinë për të dalë në vendin e parë. Por kjo ka ndodhur në këtë grup të Ligës së Kombeve, atje ku kuqezinjtë e mbyllën këtë edicion me meritë si kryesues.
Megjithëse bëhet fjalë për rivalë modest dhe ku Kumbëtarja ka bërë vetëm detyrën, ky tregues i suksesit është një shenjë e mirë për të ardhmen. Shqipëria ka arritur që të fitojë edhe ndaj Bjellorusisë në shifrat 3-2, por me një rezultat që nuk është tregues i lojës.
Dopieta e Cikalleshit krijoi përshtypjen se do ta kishim shumë të lehtë fitoren ndaj kundërshtarit të sotëm, në këtë finale për vendin e parë. E teksa Bjellorusia nuk po krijonte asnjë aksion, një gabim dhe shpërqëndrim në mbrojtje “dhuron” golin e parë të ngushtimit të diferencës me Skavysh. Menjëherë ishte Manaj që thelloi shifrat dhe i dërgoi në 3-1, për t’i dërguar kuqezinjtë në dhomat e zhveshjes me qetësi. Në pjesën e dytë kishte një ulje të ritmit të ndeshjes dhe një tjetër gol ka ardhur nga Ebong në minutën e 80, që vetëm sa ka tensionuar minutat e fundit. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve:
Cikalleshi: “E kemi prishur disi ekuilibrin tonë me golat e pësuar, por faleminderit Zotit që kemi fituar. Shpërthim im? Fakti që luaj me dy sulmues ndikon, pasi jam më afër portës. Gjithashtu edhe eksperienca ka të bëjë shumë. E njohim të gjithë lojën e njëri-tjetrit te Kombëtarja. Me Manajn kemi arritur që të funksionojmë së bashku dhe statistikat nuk gënjejnë, jam më produktiv me të. E kam kapur këtë moment të mirë dhe duhet të punoj fort për ta mbajtur këtë mundësi”.