“Nuk dua as të luaj kalçeto me shokët”, kampioni i botës që befasoi me tërheqjen: Çdo fibër e trupit është e lumtur tani

Andre Shurle befasoi jo pak me vendimin e tij për të varur këpucët në gozhdë në moshën 30-vjeçare. Në futbollin e sotëm një moshë e tillë nuk shihet aspak si një moment për të thënë “stop“, por për ish-lojtarin gjerman vendimi ka qenë përfundimtar dhe nuk ka shfaqur aspak shenja pendese. Ish-fituesi i Kupës së Botës me Kombëtaren e Gjermanisë ka pasur një karrierë të sukseshme duke mbajtur veshur fanellat e skuadrave me emër si Bajer Leverkusen, Çelsi apo Borusia e Dortmundit, ndërsa pyetjes për t’u kthyer sërish në fushë i është përgjigjur negativisht për “Bild“. Madje shton se tashmë nuk ka as dëshirë të luajë me shokët.

“A mund të kthehem sërish në futboll? Në fushë asnjëherë. Nuk dua as të luaj me shokët kalçeto ose në ekipe amatore. Edhe nëse një klub i madh më ofron diçka, asgjë nuk do të ndryshojë. Jam tërhequr tashmë. Çdo fibër e trupit tim është e lumtur që mua nuk më duhet më të stërvitem apo të përgatitem. Tani mund të mendoj edhe të fal gazetarët për të gjithë kritikat që kam marrë në karrierën time. Falë një trajneri të jetës kjo është e mundur tani, jo më parë. Mendoj se një jetë e re ka filluar për mua”, ka thënë Andre Shurle./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *