Trajneri i Romës, Paulo Fonseka, ka rënë pre e një grabitjeje. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, më 30 tetor, teksa hajdutët kanë dalë nga banesa e tij me 3 ora Roleks që kapin vlerën e 100 mijë eurove. Një grabitje që dukej të ishte e mirëorganizuar, teksa është pritur koha kur portugezi të shkonte të stërviste Marash Kumbullën dhe lojtarët e tjerë të Romës.
Në banesën e tij nuk gjendej askush, gjë që ia lehtësonte edhe më tepër punën grabitësve. Trajneri i verdhekuqve e ka vënë re ditën e djeshme që ka rënë pre e një vjedhjeje dhe i është drejtuar menjëherë organeve të policisë.
Forcat e rendit dyshojnë të kenë të bëjnë me një grup të strukturuar kriminal, teksa pak kohë më parë është bastitur edhe shtëpia e një tjetër personazhi të sportit në kryeqytetin italian. Sulmuesi i Lacios, Angel Korrea, ishte lojtari që provoi të njëjtën gjë si Fonseka, teksa ishte duke luajtur në fushën e lojës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/