Mesi është “presidenti” i Barcelonës/ Setien rrëfehet për herë të parë: Mesi nuk fliste shumë, mos më tregoni asgjë për të…

Setien është larguar nga Barcelona pas humbjes me rezultatin e thellë 2-8 kundër Bajernit të Mynihut. Për herë të parë ish-tekniku i katalanasve ka treguar me detaje eksperiencën e kaluar te gjigandët e La Liga-s, megjithëse është shprehur se vendimi për shkarkimin e tij ka ardhur përpara turpërimit me Bajernin.

Marrëdhënia e tij me Mesin ka pasur krisje dhe ylli argjentinas e ka shmangur në disa raste, duke mos ia dëgjuar kërkesat trajnerit. Fundja, kjo është fuqia e një prej lojtarëve më të mirë në të gjitha kohërat. Martino do të jepte disa kohë më parë edhe një deklaratë bombastike: “Dreqin, e di se nëse Mesi telefonon presidentin e klubit do të më shkarkojë, por nuk është nevoja që ta ma kujtosh në çdo ditë”.

Pra ylli argjentinas ka fuqinë e vendosjes së rregullave te ekipi, për të dalë përtej pozitës së tij dhe këtë e tregon hapur. Për më tepër edhe vetë presidenti i Barcelonës është larguar pas krisjes me Mesin. Ndërkohë Setien e ka ndjekur këtë linjë, por duke zgjedhur fjalë të tjera për ta treguar.

“Nuk kam nevojë që askush të më tregojë se çfarë tha Martino ose dikush tjetër. Unë e kam jetuar situatën. Unë kam pasur përvoja të mjaftueshme për të bërë një vlerësim të saktë se si është ky djalë dhe të tjerët.

Ka lojtarë që nuk janë të lehtë për tu menaxhuar. Midis tyre Leo, është e vërtetë. Ju gjithashtu duhet të keni parasysh se ai është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. E kush jam unë që ta ndryshoj! Nëse atje e kanë pranuar me vite si është dhe nuk e kanë ndryshuar… Realiteti është se nuk mund të isha vetja te Barcelona, nuk kam bërë atë që duhej.

Ekziston një aspekt tjetër që nuk është ai i lojtarit dhe që është më i komplikuar për tu menaxhuar. Ai është shumë i rezervuar, por të bën të kuptosh se çfarë dëshiron. Mesi nuk flet shumë. Ka një ndjenjë ankthi që shkon te gjithë ekipi kur nuk fiton, dëshiron që të fitojë çdo ndeshje”, ka thënë Setien. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *