Barcelona zhgënjeu përsëri në kampionat ditën e djeshme, teksa doli me vetëm 1 pikë nga fusha e Alavesit. Me këtë barazim katalanasit e shohin veten në vendin e 12-të, në kuotën e 8 pikëve. Kryesimi mbahet nga Reali i Madrid që ka grumbulluar 17 pikë, të cilët janë në rrugën e duhur për mbrojtjen e titullit kampion.
Situata në Kamp Nou nuk është aspak e mirë, teksa lojtari kryesor i skuadrës, Lionel Messi, nuk po gjen dot qetësinë e duhur për të udhëhequr skuadrën drejt sukseseve të dëshiruara. Në fundin e pjesës së parë, ku Alaves po udhëhiqte me shifrat 1-0, 6 herë fituesi i Topit të Artë e humbi totalisht toruan. Pas një vendimi të gabuar nga arbitri, Messi e ka gjuajtur me top gjyqtarin, duke detyruar këtë të fundit ta ndëshkojë me kartonin e verdhë.
Pavarësisht një gjesti mjaft të gabuar, Lionel Messi nuk ka kërkuar falje, por u ndje krenar me mënyrën sesi kishte reaguar ndaj arbitrit. Mediat spanjolle e kanë kryqëzuar kapitenin e Barcelonës, duke theksuar se veprime të tilla nuk i kanë hije një kampioni si ai. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/