Klodian Duro ka arritur që të marrë fitoren e parë në Kosovë pas eksperiencës së re si trajneri i Feronikelit. Një triumf që shijon shumë në derbin me Llapin, atje ku rezultati tregon shifrat 1-0 falë golit të Yll Hoxhës.
Ky trepikësh është shumë i nevojshëm për Feronikelin që në këtë mënyrë thyen disi edhe “mallkimin” për t’u kthyer në rezultatet pozitive, duke i dhënë më shumë besim lojtarëve. Nga ana tjetër shumë të pakënaqur kanë mbetur në krahun e Llapit.
Trajneri i këtij ekipi, Batatina, ka shkuar më tej duke e konsideruar si një fitore të arbitrit kryesor Genc Nuza dhe jo të Feronikelit. Madje tekniku do të shprehej se nëse i njëjti arbitër do të gjykojë një tjetër ndeshje të Llapit, lojtarët nuk do të dalin në fushë.
“Ka pasur tendenca të pastra që Llapi të humbi ndeshjen. Kjo nuk ishte fitore e Feronikelit, por e Genc Nuzës. Nuk fituan me meritë. Në momenti që Nuza rikthehet sërish si arbitër te ne, atëherë do të tërhiqemi nga fusha”, u shpreh Batatina për “Artmotion”. /Sport Ekspres/