“Më tha zgjidh Shqipërinë dhe jo Kosovën”, rrëfimi i rrallë i Hasit për Taren: Ishte si Kompany i Shqipërisë, e kam si vëlla

Nga Klaudio Ndreca

Në mbrëmjen e nesërme Lacio do të ketë një udhëtim në transfertë në “Champions League” për t’u përballur kundër Club Brugge. Një kundërshtar që nuk mund të quhet i panjohur për ekipin e Serisë A, ose më saktësisht për Igli Taren. Ky i fundit shquhet për gjetjet e tij në tokën belge, atje ku njeh thuajse të gjithë talentet.

Shumë prej goditjeve në merkato dhe vlerësimeve që ka marrë në Itali kanë qenë pikërisht prej futbollistëve të gjetur në Belgjikë. Por nga vjen kjo histori dashurie? Në këtë mes futet Besnik Hasi. Ky i fundit i ka sugjeruar në fillim Lucas Biglian drejtorit sportiv të Lacios, që asokohe nuk ishte shumë i bindur për futbollin në Belgjikë.

Ndërkohë në një tregim të fundit që ka dhënë për “Niewsblad”, Hasi ka bërë edhe një rrëfim të rrallë për marëdhënien me Igli Taren. Gjithashtu përmendet edhe pjesa se do të ishte pikërisht Igli që do ta bindte për të zgjedhur Shqipërinë, ndërsa Hasi nuk ka ngurruar që ta cilësojë si Kompany i Kombëtares. Kjo për shkakun se Vincent do të bënte te Anderlehti rolin e lojtarit dhe të trajnerit.

“Që kur i kam rekomanduar Biglian drejtorit sportiv të Lacios, Tares, e ka ndjekur futbollin në Belgjikë me Interes të madh. E kam telefonuar Iglin në kohën kur Biglia ishte te Anderlehti. Tare nuk ishte i çmendur pas kampionatit tonë, por unë e binda që të vinte në ndeshjen Anderleht-Club Brugge. I kam thënë se i vendos duart në zjarr për Biglian. Donte që të shkonte në Botëror me Argjentinën dhe duhej ta merrte.

Igli është si një vëlla për mua. Në kohën e tij si lojtar ishte Kompany i Shqipërisë. Pra nuk ishte vetëm lojtari i Shqipërisë, por merrej edhe me organizimin e Kombëtares. Igli Tare më ka telefonuar mua personalisht dhe më tha që të mos luaja për Kosovën, por për Shqipërinë. Vetëm për shkak të kësaj zgjedhje kam bërë karrierë te Genk dhe Anderleht. I jam falënderues Iglit”, u shpreh Hasi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *