Nga Klaudio Ndreca
Në Shkodër e përmbledhin më së miri gjithë rastin e Donis Avdijajt me një shprehje: “Të hyptë vetja në qef”. E sulmuesit shqiptar që u rrit te Shalke si një nga talentet më premtues në Gjermani, i rri përshtat kjo shprehje më tepër se kujtdo tjetër. Me klauzolën e largimit prej 50 milionë eurosh kur ishte vetëm në moshën 17-vjeçare, Avdijaj nisi të “fluturonte” përpara kohe.
Menjëherë do të mbërthehej në qendër të skandalit të mediave ku parapëlqente adrenalinën me shpejtësinë përtej normave të lejuara me makinën, ndërsa do ta harronte tërësisht futbollin. Skandali pas skandali dhe ekipet po ndërroheshin më shpesh edhe se vetë uniforma që Avdijaj vishte për ndeshje.
Por sërish ekipe si Juventusi dolën në skenë dhe ishin të interesuara për këtë lojtar. Fundja aftësitë ishin aty, ndërsa ajo që i mungonte “mister 50 milionshit” ishte disiplina. Këtë e ka pranuar edhe në një intervistë të fundit teksa bën dallimin mes vetes dikur dhe tani që ka marrë shumë leksione.
“Donisi i vogël mendonte se mund të mbështetej te aftësitë e tij dhe nuk kishte fare nevojë për mbështetje profesionale. Sot e di që kam nevojë për këtë mbështetje, që duhet të bëjë shumë stërvitje dhe punë të palodhshme. Gjithashtu duhet të duroj për të marrë vendimet e duhura”. Një shembull i qartë ky për lojtarët shqiptarë sesi nuk duhet të vazhdojnë në karrierën e tyre, ndërsa sulmuesi 24-vjeçar që tanimë është pa ekip, po bëhet gati për të mbërritur në Ligën e Tretë të Gjermanisë.
“Kam disa oferta nga Arabia. Por nuk mendoj se kjo është rruga e duhur për mua. Di edhe që Turkgucu Munich është i interesuar. Sigurisht që Munich është një qytet i madh, por do të flas me menaxherin. Dua të qëndroj në Gjermani dhe të shoh se çfarë do të më servir e ardhmja”, u shpreh Avdijaj. /Sport Ekspres/