Vllaznia vazhdon të mbetet aktive në merkato. Kuqeblutë kanë afruar shumë lojtarë në Shkodër këtë periudhë, ndërsa ditën e sotme vijnë edhe dy përforcime të reja. Një emër i njohur dhe me eksperiencë vishet kuqeblu. Ish-lojtari i Tiranës dhe së fundmi i Skënderbeut, Eni Imami, ka hedhur firmën në kontratë për klubin e Vllaznisë.
Ndërkohë shkodranët kanë menduar edhe për portën e tyre, teksa mbajnë të lidhur me kontratë afatgjatë prej 5 vitesh gardianin Kristi Qarri. Ky i fundit është projektuar të ndihmojë skuadrën si në ekipin e parë ashtu edhe në radhët e 21-vjeçarëve./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i klubit:
Mesditen e sotme Klubi i Futbollit Vllaznia ka nënshkruar me lojtarin Eni Imami i cili shihet si një përforcim i rëndësishëm në repartin e mbrojtjes. Njëkohësisht është nënshkruar një kontratë për 5 sezone sportive me portierin e talentuar Kristi Qarri i cili do të jetë një alternativë e rëndësishme për portën kuqeblu jo vetëm për të rriturit por edhe për ekipin U-21. Një marrëveshje e tillë afatgjatë është pjesë e strategjisë së Klubit të Futbollit Vllaznia në promovimin dhe inkurajimin e talenteve shkodrane brenda kampionatit shqiptar dhe në ligat tjera evropiane.