“Do të bëjmë lajm botëror”! Përshkallëzimi i protestave, zbulohet plani i futbollit me Qeverinë

“Do të bëjmë lajm botëror”, kështu presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, paralajmëroi protestat kundër Qeverisë në rastin se nuk do të dëgjohet thirrja për mbështetjen e futbollit. Të gjitha klubet e Superiores janë rreshtuar përkrahë njëra-tjetrës dhe kërkojnë ndihmën me miratimin e ligjeve që shteti të kthejë më tepër vështrimin nga ky sport.

Për momentin bojkoti vazhdon në elitën e futbollit tonë dhe nëse situata nuk do të ndryshojë deri më 19 shtator, vjen në zbatim plani i parë. Atëherë kur do të luhej edhe java e dytë e Superiores në një kohë normale dhe pa bojkot, futbollistët do të dalin në fushë si gjithmonë.

Vetëm se këtë herë jo për të zhvilluar një përballje, por për të transmetuar një mesazh. Sipas asaj që raporton “Top Channel” ekipet do të mbajnë në duart sloganin: “Qeveritë kanë braktisur rininë dhe sportin” dhe do të lexojnë kërkesat e paraqitura nga Liga Profesioniste. Pra duke iu drejtuar këtu edhe Qeverive të mëparshme dhe jo vetëm kësaj aktuales në shënjestrimin e sloganit.

Por çfarë do të ndodhë nëse edhe pas kësaj date nuk do të kemi një përgjigje? Përshkallëzimi i protestave do të vijojë me lojtarët që do të dalin me uniforma në bulevardin para kryeministrisë për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe ku do të kenë edhe topin e futbollit me vete, për të xhungluar në këtë mënyrë para institucionit që për ta konsiderohet “i shurdhët”. Ekipet kanë kërkuar nga Qeveria uljen e TVSH-së në masën 6%, faljen e gjobave e detyrimeve tatimore, që efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat e lojtarëve të shtrihet në afatin kohor 2-10 vite dhe të miratohet ligji i vërtetë i sponsorizimeve e jo ky i tjetërsuari. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *