Nga Klaudio Ndreca
Sokol Cikalleshi është bërë padashur si shkaktari kryesor për largimin e trajnerit të Konyaspor. Sulmuesi shqiptar u zyrtarizua së fundmi me këtë skuadër që është pjesë e elitës së futbollit në Turqi. Ndërkohë kur ka mbetur edhe pak ditë nga nisja e kampionatit, papritur trajneri Bulent Korkmaz do të jepte edhe dorëheqjen.
Si arsye kryesore paraqiti transferimet që bëhen pa pëlqimin dhe dijeninë e tij, e ardhur kjo menjëherë pas zyrtarizimit të Sokol Cikalleshi. Klubi i Konyasporit ka ardhur me një reagim për ta sqaruar këtë çështje, duke i vendosur në qendër të vëmendjes Korkmaz se po bën një “tradhti” duke e braktisur skuadrën pak ditë para javës së parë të këtij kampionati.
“Siç thuhet edhe në deklaratën e largimit të trajnerit tonë, transferimet e Sehiç, Cagiran, Eduok dhe Demirbag janë bërë në konsultim me delegacionin tonë teknik. Trajneri u informua gjithashtu edhe për transferimin e Sokol Cikalleshit. Publiku do ta vlerësojë vetë këtë çështje. Ne duam që t’ju informojmë se nuk po e gjejmë dot etikën e një largimi të tillë kur jemi një javë përpara kampionatit dhe ku do të luajmë ndeshjen e parë”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Konyasporit. /Sport Ekspres/