Rama theu heshtjen për bojkotin e Superiores, reagon Kadia: Të lë të dyshosh, duhet parë ç’është thënë e ç’është bërë

Superiorja nuk do të nisë në 12 shtator siç edhe ishte planifikuar, teksa FSHF ka pranuar kërkesën e klubeve për të shtyrë pa afat fillimin e kampionatit. Krerët e skuadrave të elitës së Shqipërisë prisnin një përgjigje nga qeveria për 4 pikat e propozuara prej tyre për Ligjin e Sponsorizimit dhe deri në një moment të tillë zgjodhën rrugën e bojkotit.

Kryeministri Edi Rama theu heshtjen ditën e sotme, megjithëse duke mos treguar interes në përmbushjen e kërkesave, teksa akuzonte klubet për informalitet, ndërsa të fund la të hapur derën për diskutim. Por nisur nga e shkuara, kjo ofertë lë vend për dyshime. Të paktën i këtij medimi është Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste, Dritan Kadia, i cili ishte i ftuar në emisionin “Pressing” në “ABC Neës”

“Gjëja e parë që bie në sy është fakti që ai thotë nuk kam patur njoftim për kërkesat e Ligës. Kjo gjë bie poshtë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm. Është aparati i brendshëm i kryeministrisë që duhet t’ia përçojë shkresën.

Presidentët komunikojnë me njëri-tjetrin dhe kjo është pozitive. Ata janë duke komunikuar edhe tani, për të vendosur se çfarë do të bëjnë pas deklaratës së kryeministrit. Ata do të marrin vendimin. Do të ketë bisedime dhe kjo është pozitive. Por duhet parë se çfarë është thënë më përpara dhe se çfarë është bërë. Kjo të lë të dyshosh. Mua m’u duk se kishte pak emocion deklarata e kryeministrit.

Kemi dy momente, ai i protokollit që është dërguar një letër dhe nuk kemi asnjë përgjigje. Presidentët bëmë një deklaratë tjetër dhe ajo u duk me nota të ashpra. Pas këtij qëndrimi kjo ka sjellë edhe bojkotin e kampionatit pa afat. Presidentët kërkonin plotësimin e kërkesave deri në fillimin e kampionatit. Tani kemi një deklaratë dhe një diskutim në tavolinë”, është shprehur Kadia./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *