Më në fund nuk do të ketë më pritje për të. Armando Broja do të debutojë me fanellën kuqezi të Kombëtares A. Diçka e tillë ishte projektuar të ndodhte që në ndeshjet e muajit mars, por situata e krijuar nga pandemia Covid-19 i shtyu ëndrrën sulmuesit shqiptar.
“Sport Ekspres” mëson se talenti 18-vjeçar do të niset ditën e nesërme drejt Shqipërisë. Brojës i ka mbërritur ftesa për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Bjellorusisë dhe Lituanisë. Por nuk do të jetë thjesht një emër më tepër në listën e Rejës, pasi për herë të parë do të zbresë në fushën e lojës me fanellën e Kombëtares A, duke pasur mundësinë të përmbushi një nga ëndrrat e tij.
Të gjithë presin me kërshëri të shihin çfarë do të dhurojë Armando Broja në ndeshjet e shtatorit, teksa pritshmëritë janë të larta. Megjithatë një gjë duket e sigurt, Shqipëria fitoi një sulmues të një perspektive të lartë./Halit Dleibashi-Sport Ekspres/