Ekipet e Kosovës janë duke hasur një pengesë të madhe dhe të çuditshme në Europë. Tre skuadrat e para që kanë tentuar të zbresin në fushën e lojës për të zhvilluar takimet e tyre, nuk e kanë përmbushur dot këtë objektiv.
Fillimisht Drita dhe për të vazhduar më pas me Prishtinën, teksa rastet me Koronavirus në testimin e bërë para ndeshjes kanë anuluar gjithçka. Kur pritej që Gjilani të kalonte gjithçka me sukses për të marrë kualifikimin në mbrëmje kundër modestëve të San Marinos, konfirmohet rasti i parë pozitiv te Gjilani dhe shtyhet ndeshja.
Sipas informacioneve të para ky takim mund të zhvillohet në ditën e nesërme, por asgjë nuk mund të thuhet me siguri. Ekipi i Mezanit është favorit në letër dhe në fushë e ka thuajse të sigurt kualifikimin, prandaj një rrezikim në tavolinë për fitoren e kundërshtarit do të ishte mëkat. Modestët e Tre Penne kanë shumë lojtarë të cilët e kanë futbollin me kohë të pjesshme, ndërsa portieri i tyre Alfredo Chierighini i grumbulluar ndaj Gjilanit është 54-vjeç. /Sport Ekspres/