Situata e rëndë e koronavirusit ka ndikuar negativisht tek klubet shqiptare. Drita vuajti humbjen në tavolinë (0-3) të ndeshjes së saj me Linfield, pasi dy lojtarë të kësaj skuadre rezultuan pozitivë me COVID-19. Gjithashtu edhe Prishtina shpëtoi për mrekulli nga eleminimi pa e luajtur ndeshjen, pasi 8 lojtarë dolën të infektuar me virus.
Gjendja në Shqipëri është mjaft serioze, teksa numri i të infektuarëve është rritur ndjeshëm dhe për këtë arsye Kukësi ka anulluar ndeshjen miqësore që do të luhej në Fushë Krujë, pasi klubi verior kërkon të shmangë çdo risk të mundshëm për Europa Ligën. Këtë njofim e ka dhënë vetë faqa zyrtare e F.K Kukësit në Facebook. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/
“Njoftim i klubit!
Futboll Klub Kukësi njofton se ndeshja miqësore ndaj Kastriotit, e planifikuar të luhet ditën e sotme në Fushë Krujë, është anuluar.
Shkak për këtë vendim janë bërë masat që po merr klubi ynë para ndeshjes së Europa League, duke shmangur çdo lloj risku për Covid 19!
Ekipi do të rikthehet sot nga Tropoja dhe do të grumbullohet në Elbasan, nën masa të rrepta higjeno-sanitare. Klubi është siguruar që hoteli ku do të qëndrojmë është desinfektuar, duke respektuar çdo protokoll të ardhur nga UEFA.”- ishte postimi i faqes zyrtare në Facebook.