“Janë rritur ekipet e futbollit”, Zyra Rajone Elbasan tregon fenomenin e ri: Skuadrat e femrave…

Zyra Rajonale e FSHF-së Elbasan ka bërë një analizë lidhur me objektivat që ishin vendosur për edicionin që lamë pas dhe punës së bërë në të gjitha kategoritë e moshave. Për t’u veçuar fakti se në këtë edicion, risi ka qenë hapja e ekipeve të reja për femra, për grupmoshat U-9, U-11 dhe U-13.

Përgjegjësi i kësaj zyre, Ilirjan File, në një intervistë për fshf.org, konfirmon se ka pasur rritje të numrit të skuadrave gjatë këtij viti, duke filluar nga grupmoshat më të vogla e deri te të rinjtë, por nga ana tjetër shpreh edhe shqetësimet e hasura gjatë këtij sezoni.

Synimet për edicionin e ardhshëm janë të qarta, shtim i numrit të ekipeve pjesëmarrëse si dhe masivizimi i futbollit te grupet e vogla.

– Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në kampionatin rajonal amator të Zonës Rajonale Elbasan?

– Risia më e madhe e këtij sezoni që lamë pas kanë qenë ekipet e femrave për grupmoshat U-9, U-11 dhe U-13, ku ka pasur nga një ekip femrash, për çdo grupmoshë. Njëkohësisht, duke qenë se ishim në një vit të vështirë, për shkak të pandemisë së COVID-19, ia dolëm që të mbyllnim pa probleme kampionatet e të gjitha grupmoshave, duke respektuar edhe masat në këtë aspekt.

– A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij edicioni?

– Problem në fakt vazhdojnë e mbeten terrenet sportive, sidomos në periudhën e dimrit, për shkak të shirave. Mungesa e fushave me bar sintetik na ka privuar në disa ndeshje. Për fat të mirë, ne i mbyllëm të gjitha kampionatet e planifikuara, por disa skuadra kanë hasur vështirësi përsa i përket lëvizjes.

– Sipas jush, a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?

– Mendoj se në tërësi objektivat që i kishim vënë vetes në fillim të edicionit u arritën. Numri i ekipeve ka qenë i kënaqshëm dhe ka pasur rritje, duke filluar nga grupmoshat më të vogla dhe deri tek të rinjtë.

– Cilat janë risitë për edicionin e ardhshëm? Cilat janë synimet kryesore?

– Si synim kryesor kemi rritjen e numrit të ekipeve pjesëmarrëse në aktivitet, ku në fokusin kryesor është edhe ai i femrave. Kemi bërë një hap pozitiv sezonin që sapo lamë pas, por synojmë të dyfishojmë ekipet pjesëmarrëse sa i përket futbollit të femrave.

Përpos tyre, rëndësi po i kushtojmë masivizimit të futbollit tek grupmoshat e vogla, aty nga edhe ku lindin talentet e së ardhmes, e ndërthurur kjo me trajnerë të kualifikuar. Do të lobojmë edhe nëpër shkolla në afrimin e fëmijëve të vegjël që duan të hyjnë në rrugën e bukur të futbollit.

Synojmë gjithashtu edhe një masivizim më të madh tek futbolli 5×5, duke qenë se bëhet fjalë për një disiplinë që preferohet shumë dhe që ka një masivizim në qytetin e Elbasanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *