Nga Klaudio Ndreca
Edi Nikolas-Bojom, lojtari që aktivizohet me Kastriotin, ka bërë një rrëfim të fundit mbi karrierën e tij. Në një intervistë të dhënë për “Press Sport” është folur më tepër për eksperiencat e kaluara në kontinentet e ndryshme, atje ku veçohet koha e kaluar në Angola. Çuditërisht Bojom është shprehur se një lojtar që luan në kampionatin e Angolës, nuk e ka aspak zili kolegun e tij në Europë. Kjo pasi ka pak diferenca sa i përket përfitimeve në aspektin financiar dhe është rritur premio e vendosur nga ana e presidentëve të ekipeve.
“Kam qëndruar pak larg mediave për shkakun e problemeve familjare që më kanë shqetësuar nga ana sportive dhe psikologjike. U tërhoqa për pak kohë dhe nuk ishte e lehtë. Pasi u ktheva nga Arabia Saudite kalova gati dhjetë muaj pa luajtur. U ktheva në Angola për të gjetur formën time dhe shkova të firmosja në Shqipëri, ku jam aktualisht.
Kam ardhur këtu vitin e kaluar, gjatë merkatos së dimrit në 2019. Gjeta një ekip në vendin e fundit që nuk renditej mirë. Ne bëmë gjithçka mundëm, por nuk ia dolëm. Ekipi zbriti dhe tani kemi për detyrë të bëjmë atë që thuhet në Kamerun, ta dërgojmë skuadrën atje ku edhe e gjetëm.
Futbolli këtu ka nisur në tre qershor, ndërsa kufizimet për pandeminë ishin shumë strikte. Të lejohej vetëm për të shkuar në farmaci ose për të ngrënë diçka. Ajo që nuk do të harrojë është aventura ime në Angola. Kam kaluar pjesën më të mirë të karrierës duke fituar disa tituj, përfshirë këtu një Kupë dhe katër kampionate. Kam fituar shumë para? Jo edhe shumë (qesh). Por ne merreshim me ekipe të çmendura ku presidentët kërkonin të fitonin me patjetër dhe vendosnin shpërblime të majme.
Ndonjëherë pyesnim veten: “Mos po bëjnë shaka?”. Por pas fitores, dy ditë më vonë, shihje lekët të transferuara në llogari. Në kohën tonë kur kemi luajtur në Angola, nuk ka asnjë krahasim me Europën. Unë them që një lojtar në Angola nuk e ka zili një lojtar në Europë. Kishte kontrata të mëdha, paga të mëdha dhe avionë privatë”, ka thënë Edi Nikolas-Bojom. /Sport Ekspres/