Lorenc Trashi ka befasuar jo pak me aventurën e re që ka ndërmarrë në karrierë, ndërsa do të vazhdojë në futbollin e Kuvajtit. Shumë vite me fanellën e Partizanit që e kanë shndërruar edhe në lojtarin më të dashur nga ana e tifozëve.
Në një intervistë për “A2 Cnn”, vetë lojtari e pranon se vendimi i marrë në këto kohë lidhet vetëm me aspektin financiar, duke ditur që mosha po kalon dhe nuk ka shumë vite në futboll. Për këtë arsye nuk mund të synohej një kampionat që të përdorej si trampolinë për të shkuar në një ekip edhe më të fortë në të ardhmen, pasi mundësi të tilla nuk ekzistonin.
“Unë kam qenë në banesë dhe më ka marrë menaxheri im, Franci Bode. Sa herë që do të më merrte, e kishte diçka për ndonjë ekip. Më tha që kishte një mundësi për në Kuvajt, por duhej të flisnim me presidentin Demi. Demi do të tregohej shumë bujar me mua dhe mund të them se është pjestar i familjes sime, pasi kemi kaluar gjashtë vite bashkë.
Shiko, kjo është aventura ime e parë jashtë Shqipërisë dhe mezi e kam pritur. Fatin nuk e kam pasur që të transferohem në një kampionat më të fortë. Por edhe në Kuvajt ka shumë tifozë në stadium, duhet të ambientohem sa më shpejt.
Të jemi realist, nuk jam më 22-vjeç që të mendoja për një kampionat si trampolinë për t’u transferuar diku tjetër. Duhet ta shohim pak dhe anën financiare pasi nuk kemi dhe shumë vite sport. Edhe jeta jonë familjare do të bëhet më e mirë kështu. Ato lekë nuk mund t’i merrja dot në Shqipëri”, tha Trashi. /Sport Ekspres/