Në Shqipëri është formuar prej disa kohësh edhe Sindikata e Futbollistëve, e cila kryesohet nga Andi Lila. Një figurë e njohur e futbollit tonë që kontribuoi edhe në arritjen e Kombëtares në Francë, ndërsa aktualisht është edhe pjesë e Tiranës.
Nëpërmjet një reagimi të fundit nga ana e Sindikatës ka një thirrje me zë të lartë për të gjitha klubet. Duke treguar nenin dhe shkeljet që bëhen nga disa ekipe, thuhet se futbollistëve nuk po u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetsore. “Nuk do të heshtim dhe nuk kemi për ta bërë”, është kryefjala e këtij reagimi për të bërë të qartë se gjithçka duhet të mbyllet në bazën e rregullave.
Reagimi i plotë
Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë gjatë pregatitjes së dokumentacionit të futbollistëve për në DHZK është vënë në dijeni të shkeljeve të rënda ligjore që klubet e futbollit kryejnë në dëm të interesave të ligjshme të futbollistëve.
Konkretisht edhe sot ka klube që nuk kanë paguar kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetsore të futbollistëve .
Të ndodhur përpara kësaj situate Sindikata i kërkon organeve tatimore që të ushtrojnë kontrolle në klubet e futbollit për të verifikuar përmbushjen e detyrimit ligjor të këtyre klubeve ndaj punëmarrësve, futbollistëve.
Klubeve të futbollit ju bëjme me dije se mospagimi i kontributeve të sigurimeve të futbollistëve përben vepër penale që parashikohet nga neni 170/a i Kodit Penal i Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa mos verifikimi i kësaj situate nga organet tatimore do të ngarkojë me përgjegjësi penale këto të fundit.
Sindikata as nuk ka heshtur dhe as nuk do të heshtet përpara këtyre shkeljeve të të drejtave të ligjshme të futbollistëve pasi ky është misioni jonë për të cilin jemi krijuar.
Sigurisht që këtë problem ne do ta ndjekim me përparësi dhe pasi të marrim një informacion më të saktë nga të gjithë futbollistët për të gjithë klubet e futbollit të Kategorisë Superiore dhe asaj të parë, do të nderrmarim hapat ligjor konkrete duke kallëzuar penalisht çdo shkelës ligji.
Të gjithë duhet ta kuptojnë se, për futbollistët vitet e karrierës në futboll nuk janë vite të çuara dëm por vite jete dhe të cilat duhet të llogariten si vite PUNE mbi bazën e te cilave llogaritet edhe pensioni.
Për këtë arsye,në këtë pikë lufta jonë sindikale është pa kompromis.